Shoqatë Islame në Norvegjië

RESPEKTIMI I PRINDERVE

 

RESPEKTIMI I PRINDERVE

 

Shkëputur nga libri “Minhaxhu el Muslim”

Autor: Ebu Bekër Xhabir el Xhezairi

Përktheu: Bledar Albani

 


 

Muslimani beson në të drejtën e prindërve të tij mbi të dhe në obligueshmërinë e respektimit të tyre, bindjes ndaj tyre dhe bamirësisë ndaj tyre. Jo sepse ata kanë qenë shkak i ardhjes së tij në jetë, as sepse ata i kanë bërë mirë atij dhe janë përpjekur e munduar për rritjen e tij, dhe kështu ai duhet t’u kthejë të mirën me të mirë, por sepse Allahu i Madhëruar e ka bërë të obligueshme bindjen ndaj tyre dhe i ka ngarkuar fëmijës mirësjelljen dhe bamirësinë ndaj prindërve të tij, madje Ai ka bashkuar mes të drejtës së prindërve dhe të drejtës së Tij për t’u adhuruar vetëm Ai dhe asgjë tjetër përveç Tij.

Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti yt ka përcaktuar (urdhëruar) që të mos adhuroni askënd e asgjë veç Atij dhe që të jesh i përkushtuar ndaj prindërve të tu. Në qoftë se njëri prej tyre ose të dy ata arrijnë moshën e pleqërisë dhe ti je gjallë me ta, mos u thuaj atyre ndonjë fjalë pakënaqësie e mosrespekti, as mos e ngrini zërin duke u thënë “Uf!”, por folu atyre shprehje nderuese e me respekt. Dhe ule mbi ta krahun e nënshtrimit, të mirësisë e të përuljes me mëshirë dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroji ata dy siç më rritën mua, kur unë isha i mitur!” [El Isra: 23-24].

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Dhe Ne kemi kërkuar nga njeriu të jetë i përkushtuar e i dëgjueshëm ndaj prindërve të tij. Nëna e tij e mbarti atë me mundime pas mundimesh e vështirësi pas vështirësish dhe dhënia e gjirit është dy vjet –më falendero Mua dhe prindërit e tu –tek Unë është kthimi i fundit.” [Lukman: 14].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), atij burrit i cili e pyeti: “Kush ka më shumë të drejtë për shoqërinë dhe kujdesin tim?”, i tha: “Nëna jote.” –Po pastaj? –Nëna jote. –Po pastaj? –Nëna jote. –Po pastaj? –Babai yt.”[1]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Allahu ua ka bërë të ndaluar (haram) mosrespektimin e nënave, mosdhënien dhe kërkimin dhe varrosjen e vajzave të gjalla. Ai e urren për ju thashethemet, pyetjet e shumta dhe shpërdorimin e pasurisë.”[2]

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “A t’iu njoftoj për gjynahet më të mëdha nga të mëdhatë? –Po, o i Dërguari i Allahut! –thanë ata. –Shokvënia Allahut, mosrespekti i prindërve dhe –atëherë u ngrit ulur pasi ishte i mbështetur dhe tha- a nuk është fjala e rremë dhe dëshmia e rreme?! A nuk është fjala e rreme dhe dëshmia e rreme (prej gjynaheve më të mëdha)?!” –Pastaj vazhdoi ta përsërishte këtë saqë Ebu Bekra thotë: Thashë me vete: Ah! Sikur të heshtte!”[3]

Dhe ka thënë: “Fëmija nuk mund t’ia shlyejë prindit të tij vetëm në rast se e gjen atë të jetë skllav, pastaj ta blejë dhe ta lirojë atë.”[4]

Ndërsa Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: Pyeta të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Cila është puna më e dashur tek Allahu i Lartësuar? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Sjellja mirë me prindërit.” –Po pas kësaj? –Xhihadi në Rrugë të Allahut.” –Pastaj aty erdhi një burrë i cili i kërkonte leje të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të shkuar në xhihad dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “A i ke gjallë prindërit? –Po, -tha ai. –Atëherë tek ata bëj xhihad (përpiqu të kujdesesh për ta)!”[5]

Një burrë prej ensarëve erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! A ka mbetur ndonjë gjë nga bamirësia ime ndaj prindërve të mi, pas vdekjes së tyre? –“Po, katër gjëra: Lutja dhe kërkimi falje për ta, përmbushja e marrëveshjeve të tyre, nderimi i shokut të tyre dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore nga të cilat ti nuk ke lidhje farefisnore tjetër veçse nga ana e tyre. Kjo të ka mbetur ty nga bamirësia ndaj tyre pas vdekjes së tyre.”[6]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Prej respektit më të madh është që burri të mbajë lidhjet shoqërore të babait të tij pas vdekjes së tij.”[7]

Përderisa muslimani i aprovon këto të drejta të prindërve të tij mbi të dhe i plotëson ato si bindje ndaj Allahut të Madhëruar dhe për të përmbushur amanetin e Tij, atëherë ai mvishet gjithashtu me moralet dhe sjelljet e mëposhtme, kundrejt prindërve të tij:

1. Bindja ndaj tyre për gjithçka që ata e urdhërojnë apo që e ndalojnë atë, përderisa në atë gjë nuk ka kundërshtim të Allahut dhe të sheriatit të Tij, pasi që nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim të Krijuesit. Allahu i Madhëruar thotë: “Por nëse ata të dy përpiqen me ty, që ti të më shoqërosh Mua të tjerë për të cilët ti nuk ke asnjë dije, atëherë mos iu bind atyre, por sillu me ta në dynja me dashamirësi dhe ndiq rrugën e atij i cili më kthehet Mua me pendim dhe nënshtrim.” [Lukman: 15].

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Bindja është në të mira e të ligjshme.” Dhe ka thënë: “Nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim të Krijuesit.”

 

2. Nderimi dhe madhërimi i vendit të tyre, mëshirimi i tyre, respektimi i tyre me fjalë dhe vepër. Mosofendimi i tyre, mosngritja e zërit më shumë se ata, mosecja para tyre, mosprivilegjimi i gruas apo i fëmijës para tyre dhe moslënia e tyre për shkak të tyre (gruas dhe fëmijës). Të mos udhëtojë veçse me lejen dhe pëlqimin e tyre.

 

3. Bamirësia ndaj tyre me gjithçka që mundesh dhe ke mundësi prej llojeve të bamirësisë e shpirtbutësisë, si të ushqyerit dhe të mbathurit e tyre, të kuruarit e të sëmurit prej tyre, largimi i ndonjë të keqeje nga ata dhe dhënia e jetës për ta.

 

4. Mbajtja e lidhjeve farefisnore nga ana e tyre, lutja dhe kërkimi falje për ta, përmbushja e marrëveshjeve të tyre me të tjerët dhe nderimi i shokut të tyre.  


 

[1] E transmeton Buhariu, Muslimi, etj.

[2] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[3] E transmeton Buhariu dhe Tirmidhiu.

[4] E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxheh, etj.

[5] E transmeton Buhariu, Muslimi dhe Nesai.

[6] E transmeton Ebu Daudi. Hadithi është i dobët, siç e ka konsideruar të tillë shejh Albani.

[7] E transmeton Muslimi (1979).

Sök på webbplatsen

© 2009 Www.Shoqata-El-Buhari.Tk.