Falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Vetëm Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë, prej Tij kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. I kërkojmë mbrojtje Allahut nga e keqja e veteve tona dhe nga punët tona të këqija.
Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin e humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Allahu i Lartësuar e dërgoi atë para ndodhjes së kijametit, përgëzues dhe qortues, thirrës për tek Allahu me Lejen e Tij dhe pishtar ndriçues. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e komunikoi mesazhin, e përmbushi amanetin, e këshilloi popullin dhe luftoi në Rrugën e Allahut me një xhihadi dhe përpjekje të vërtetë. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit!
Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Jini të bindur (dhe mbushni detyrimet) ndaj Zotit tuaj, i Cili ju krijoi ju prej një veteje (Ademit) dhe nga ajo Ai krijoi palën (bashkëshorten) e saj, dhe nga ata të dy Ai krijoi burra dhe gra të shumtë. Dhe kijeni frikë Allahun nëpërmjet të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella, dhe mos i ndërprisni marrëdhëniet me barkun tuaj (të afërmit). Sigurisht që Allahu është kurdoherë Gjithëvëzhgues përmbi ju.” [En Nisa, 1].
Dhe thotë: “O ju që keni besuar! Plotësoni detyrimin ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë dhe flisni (gjithnjë) të vërtetën. Ai do t’ju drejtojë ju tek veprat e mira e të drejta dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhammedit a.s.), me të vërtetë që ka arritur fitoren më të madhe (do të pranohet në Xhennetin e Begatshëm).” [El Ahzab, 70-71].
Cilët janë pasuesit e Sunetit dhe Xhematit
dhe sqarimi i rrugës së tyre
Ehli Suneti, apo pasuesit e Sunetit dhe të xhematit janë ata të cilët i ka udhëzuar Allahu i Madhëruar në ato gjëra ku ka kundërshtim prej të vërtetës, me Lejen e Tij dhe Allahu udhëzon cilin të dojë në rrugën e drejtë.
Të gjithë ne e dimë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është dërguar me udhëzimin dhe Fenë e vërtetë. Me udhëzimin në të cilin nuk ekziston humbje dhe me Fenë e vërtetë në të cilën nuk ekziston lajthitje. Në këtë rrugë të pastër e të drejtë kanë qëndruar njerëzit në kohën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), po kështu edhe gjatë gjithë kohës së zëvendësve të tij (Hulefave) të drejtë.
Por pas kësaj, umeti u përça në grupe të shumta e të ndryshme, sa që u bënë shtatëdhjetë e tre grupe, që të gjitha ato (do të hyjnë) në zjarr përveç njërit grup, ai i cili vazhdon të qëndrojë në atë që ka qenë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij.
Kështu që themi: ky grup është grupi i Ehli Sunetit dhe Xhematit, dhe ky përshkrim i tyre nuk ka nevojë për sqarim e shpjegim se ata janë ata që janë në rrugën e vërtetë, pasi që ata janë pasuesit e Sunetit, të kapur fortë për të (sunetin) dhe pasuesit e xhematit (grupit, kolektivit), të bashkuar rreth tij. Ndërsa grupet e tjera përveç tyre nuk i gjen veçse larg Sunetit, aq sa kanë shpikur në Fenë e Allahut të Madhëruar. Nuk gjen grup tjetër përveç grupit të Ehli Sunetit dhe Xhematit, veçse të përçarë e të shpërndarë në idetë dhe besimet e tyre.
Ndërsa Allahu i Madhëruar i ka thënë të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Vërtet ata që e ndajnë fenë e tyre dhe shpërndahen në sekte e grupe (të çfarëdo lloji qofshin), ti (O Muhammed) nuk ke aspak të bësh me ta. Puna e tyre është vetëm me Allahun i Cili paskësaj do t’u tregojë atyre çfarë ata vepronin.” [El Enam, 159].
Kështu që nuk është nevoja ta zgjasim me përkufizimin e Ehli Sunetit dhe Xhematit, pasi vetë ky emërtim tregon qartë për domethënien e tij dhe se ata janë të kapurit për Sunetin, të bashkuarit rreth tij.
Ndaj po i përmbledhim fjalët në pikat kryesore të mëposhtme:
Së pari: Sqarimi i rrugës së Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me Emrat dhe Atributet Allahut të Madhëruar, shoqëruar me shembuj sqarues të kësaj rruge.
Rruga e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit në Emrat dhe Atributet e Allahut është se atë që është pohuar në Librin e Allahut dhe në Sunetin e saktë të të Dërguarit të Allahut J prej Emrave dhe Atributeve të Allahut, ata e konsiderojnë të vërtetë dhe se me to është për qëllim domethënia e drejtpërdrejtë e tyre, pa qenë nevoja për devijimin e devijuesve, pasi që devijimi i tyre është ndërtuar mbi të kuptuarit e tyre të gabuar, ose mbi qëllim të gabuar. Ata mendojnë se të pohuarit e atyre teksteve, apo të atyre Emrave dhe Atributeve ashtu si janë në kuptimin e drejtpërdrejtë, kjo sipas tyre është pohim i ngjashmërisë dhe shembullit. Për këtë shkak ata shkuan te devijimi i fjalës nga domethënia e saj.
Disa prej tyre mund të jenë edhe nga ata të cilët nuk e kanë perceptuar kështu këtë, por kanë pasur qëllim të keq për përçarjen e popullit musliman në grupe e parti të ndryshme.
Ndërsa pasuesit e Sunetit dhe të xhematit besojnë se të gjitha ato me të cilat Allahu ka quajtur dhe ka cilësuar Veten e Tij në Librin e Tij apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij J, të gjitha ato janë të vërteta në realitetin dhe domethënien e tyre të drejtpërdrejtë, pa pasur nevojë për shtrembërimin e shtrembëruesve, madje ato janë shumë larg atij perceptimi të tyre.
Por duhet pasur parasysh se nga ato nuk mund të kuptohet diçka që nuk i takon Allahut të Madhëruar, prej atributeve të mangëta apo të ngjashme me ato të krijesave.
Me këtë rrugë optimale (më të favorshme) ata shpëtojnë nga rrëshqitja e të devijuarit në Emrat dhe Atributet e Allahut.
Ata nuk pohojnë për Allahun veçse atë që Ai Vetë e ka pohuar për Veten e Tij, ose që e ka pohuar për Të i Dërguari i Tij J, pa shtuar asgjë mbi këtë dhe as pa hequr prej saj.
Për këtë shkak, rruga dhe drejtimi i tyre në lidhje me këtë është se Emrat dhe Atributet e Allahut janë që nuk pranojnë diskutim apo futje të logjikës në to; askush nuk mund ta emërtojë apo ta cilësojë Allahun me diçka që Ai nuk e ka emërtuar apo cilësuar Veten e Tij. Përndryshe çdo njeri mund të thoshte: “Prej emrave të Allahut është edhe filan emër”, apo “filan emër nuk është prej emrave të Allahut”. Apo mund të thotë: “Prej cilësive të Allahut është edhe filan cilësi”, apo “filan cilësi nuk është prej cilësive të Allahut”, pa pasur asnjë lloj argumenti.
Sigurisht që ky ka shpifur për Allahun pa pasur dije, ndërsa Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaj: “(Por në të vërtetë) gjërat që i ka ndaluar Zoti im janë El-Fahisha (gjynahet e mëdha, çdo lloj afrimi me gratë jashtë martesës etj) që kryhen hapur ose fshehur, gjynahet (e tjera të çdo lloji), shtypja pa të drejtë, vënia shok Allahut në adhurim, gjë për të cilën Ai nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë, si dhe përfolja për Allahun për gjëra për të cilat ju nuk keni asnjë dijeni.” [El A’raf, 33].
Gjithashtu ka thënë: “Dhe mos ndiq (O njeri! Mos fol, mos bëj) atë gjë për të cilën s’ke dijeni. Me të vërtetë që të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, secila prej tyre do të pyetet (nga Allahu në Ditën e Llogarisë).” [El Isra, 36].
Prej rrugës së tyre në lidhje me Emrat e Allahut të Madhëruar është se në qoftë se ai Emër me të cilin Allahu ka quajtur Veten e Tij është prej emrave veprorë, ata besojnë se nga kushtet e plotësimit të besimit në të është:
1. Të besuarit se ai është një nga Emrat e bukur të Allahut të Madhëruar.
2. Të besuarit në atë që argumenton ai emër prej atributit përkatës.
3. Të besuarit në ndikimin e atij emri, i cili është ai atribut i domethënies së tij.
Për këtë po marrim një shembull: Emri “Gjithëdëgjuesi”, sipas rrugës së Ehli Sunetit dhe Xhematit duhet pohuar ky emër nga Emrat e Allahut dhe me të duhet të lutet Allahu e të adhurohet. Kështu p.sh. thuhet: “Adhuroi Gjithëdëgjuesin”, dhe thuhet: “O Gjithëdëgjues! O i Gjithëditur!”, e të ngjashme me këto, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe të Allahut janë gjithë Emrat më të Bukur, kështu që luteni Atë me ta...” [El Araf, 180].
Po kështu duhet të pohosh atë që argumenton ky emër prej atributit (domethënies) të tij i cili është të dëgjuarit. Pra pohojmë për Allahun të dëgjuar të përgjithshëm dhe gjithpërfshirës, asgjë dhe asnjë lloj zëri nuk i shpëton Atij edhe nëse është i dobët.
Si dhe pohojmë gjithashtu ndikimin e këtij atributi, d.m.th. se Allahu i Madhëruar dëgjon gjithçka.
Dhe kështu ne përfitojmë shumë nga emrat e Allahut, pasi që prej këtyre tre gjërave që i pohuam për emrin vepror rezulton se ne duhet ta adhurojmë Allahun e Madhëruar me të dhe kështu vërtetojmë Fjalën e Allahut: “Dhe të Allahut janë gjithë Emrat më të Bukur, kështu që luteni Atë me ta...” [El Araf, 180].
Nëse ti beson se Allahu dëgjon, atëherë nuk ke për të folur një gjë të cilën Allahu e urren nga ti dhe nuk ke për të folur veçse atë që ai pëlqen nga ti, sepse ti e di se çfarë do lloj fjale që të thuash, me apo nën zë, Allahu i Madhëruar e dëgjon atë dhe ka për të njoftuar ty me atë që ke thënë, në ditën e Kiametit, dhe do të të kërkojë llogari për të sipas Urtësisë së Tij në mënyrën e llogarisë së atyre të cilët Ai i merr në llogari.
Pra, rregulli për këtë tek pasuesit e Sunetit dhe Xhematit është se në qoftë se një emër i caktuar nga emrat e Allahut është vepror, atëherë të besuarit në të nuk mund të plotësohet veçse me këto tre gjëra:
1. Të besojmë se ai është nga emrat e Allahut dhe ta pohojmë atë për emër të Allahut.
2. Të besojmë në atributin që ai argumenton.
3. Të besojmë në ndikimin që rezulton nga ai atribut.
Me këtë plotësohet besimi në emrat veprorë të Allahut të Lartëmadhëruar.
E në qoftë se emri është jovepror (jokalimtar), ata e pohojnë këtë për emër nga emrat e Allahut, e quajnë Allahun me të, e drejtohen me të në lutje, si dhe pohojnë atributin absolut dhe të përshtatshëm që ai argumenton, por këtu nuk ka ndikim rezultues, pasi që ai emër është përfituar nga një rrënjë, cilësia e së cilës nuk është veprore (kalimtare), kështu që nuk ka ndikim.
Të marrim një shembull: “I Përjetshëm”, i cili është një nga emrat e Allahut të Madhëruar dhe ne e pohojmë atë për emër të Allahut dhe i drejtohemi Allahut me të në lutje, duke thënë: “O i Përjetshëm, o Mbajtës i gjithçkaje!”
Po kështu besojmë në atributin e domethënies së tij, i cili është Jeta absolute, e cila përfshin të gjitha cilësitë absolute që gjenden te i Përjetshmi, prej dijes, fuqisë, dëgjimit, shikimit, të folurit e të tjera.
Kështu që themi: Nëse një emër nga emrat e Allahut është jokalimtar, atëherë vërtetimi i besimit në të arrihet me dy gjëra:
1. Të pohuarit e tij për emër të Allahut.
2. Të pohuarit e atributit që ai argumenton, në formën absolute ashtu si i takon Allahut të Madhëruar.
Ndërsa në lidhje me atributet e Allahut, ne nuk e cilësojmë Allahun veçse me atë që Ai e ka cilësuar Veten e Tij, qoftë ajo cilësi e përmendur më vete dhe jo domethënia e një emri, apo domethënia e një prej emrave të Allahut.
Detyra jonë është të besojmë në këtë cilësi në realitetin e saj. Të marrim një shembull: Allahu i Madhëruar ka pohuar për Veten e Tij se Ai qëndroi mbi Arsh, dhe Ai na ka folur neve me Kuranin e zbritur në gjuhën e qartë arabe, dhe të gjithë ata të cilët kanë njohuri për gjuhën arabe e dinë shumë mirë domethënien e fjalës “Isteva” në gjuhën arabe. Për këtë arsye, kur imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) u pyet për domethënien e Fjalës së Allahut: “I Gjithëmëshirshmi (Allah) Isteva (u ngrit lartë dhe qëndroi mbi) Arsh (Fronin e Tij Madhështor, vërtet ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij).” [Ta Ha, 5].
U pyet: Si qëndroi? Ai tha: “Të qëndruarit është i njohur (domethënia e tij), forma është e panjohur, besimi në të është vaxhib (i detyrueshëm) dhe pyetja për të është bidat.”
Kjo është shprehja e njohur nga imam Maliku, ndërsa në një shprehje tjetër transmetohet se ai tha: “Të qëndruarit nuk i është i panjohur, forma e tij nuk është që e kap logjika, të besuarit në të është vaxhib dhe të pyeturit për të është bidat.”
Kjo shprehja e dytë është më e përpiktë se e para, pasi që shprehja “forma e tij nuk është që e kap logjika” argumenton se n.q.s. mungojnë të dy argumentet, ai nga sheriati dhe ai logjik, atëherë nuk mund të flitet për të.
Ky atribut i Allahut nuk ka ardhur gjithashtu emër nga emrat e Tij nga i cili të jetë përfituar. Pra nuk ka ardhur si emër i Allahut fjala “Mustevi” (Qëndrues), por ne themi: Allahu qëndroi mbi Arsh dhe besojmë në këtë atribut ashtu si i shkon Madhështisë së Allahut dhe e dimë se domethënia e fjalës “Isteva” është të ngriturit. Pra ai është i ngritur i veçantë në lidhje me Arshin dhe jo të ngriturit e përgjithshëm mbi të gjitha krijesat. Për këtë shkak, në Fjalën e Allahut: “U ngrit dhe qëndroi mbi Arsh” [El Araf, 54], themi: U ngrit dhe qëndroi në atë mënyrë që i shkon Madhështisë së Tij, dhe jo si të ngriturit dhe të qëndruarit e njeriut mbi deve apo mbi karrige për shembull. Kjo sepse të qëndruarit e njeriut mbi deve apo mbi karrige ka nevojë patjetër për vendin mbi të cilin qëndron, ndërsa të qëndruarit e Allahut të Lartëmadhëruar nuk është i qëndruar i nevojshëm për gjë, përkundrazi Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për asgjë, por çdo gjë ka nevojë për Allahun.
Ndërsa ai që pretendon se Allahu ka nevojë për Arshin që ta mbajë Atë, ai e ka ofenduar Zotin e tij të Madhëruar, sepse Allahu nuk ka nevojë për asgjë nga krijesat e Tij, por të gjitha ato kanë nevojë për Të.
Po kështu edhe të zbriturit në qiellin e kësaj dynjaje në kohën kur mbet edhe një e treta e natës, ne e besojmë këtë si të zbritur të vërtetë, por që i shkon Madhështisë së Allahut dhe nuk i përngjet zbritjes së krijesave. Prej këtu themi se besimtari duhet të jetë larg asaj që mund të hedh shejtani në mendjen e tij, gjë e cila është shtrembërimi i teksteve për shkak të kësaj që shejtani hedh në zemrat e njerëzve - e ai është përfytyrimi i formës së ndonjë prej atributeve të Allahut, apo përfytyrimi i vetë Qënies së Allahut të Madhëruar.
Dije pra se nuk lejohet kurrë që të përfytyrohet forma e Qënies së Allahut, apo forma e ndonjë prej cilësive të Tij.
Dhe dije se n.q.s. ti e përfytyron Atë, ose përpiqesh ta përfytyrosh, atëherë do të biesh në një prej dy të ndaluarave:
1. Ose në shtrembërim dhe mohim.
2. Ose në krahasim dhe përngjasim.
Ndaj, o vëllezër, ju nuk duhet kurrë që të përfytyroni ndonjë apo diçka prej cilësive të Allahut të Madhëruar. Nuk them të mos e pohoni domethënien e tyre që duhet pohuar, por formën e asaj cilësie e atributi nuk mund ta përfytyrosh kurrë, pasi që as nuk ke me çfarë ta krahasosh atë përfytyrim.
Nuk është kurrë e mundur që të përfytyrohen atributet e Allahut të Madhëruar, as me përcaktim dhe as me fjalë, ndaj ti duhet t’i shmangesh kësaj, përndryshe je duke u përpjekur të arrish në diçka që është absurde të arrihet te ajo, madje kështu është frikë të futesh në diçka të rrezikshme nga e cila nuk mund të dalësh dot më, por do të ndjekësh rrugën e përngjasimit dhe mohimit.
Kjo sepse Allahun e Madhëruar nuk mundet askush ta përfytyrojë në ndonjë formë të caktuar, pasi që nëse dikush e bën këtë, ai ka ndërhyrë në diçka për të cilën nuk ka dije, ndërsa Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe mos ndiq (O njeri! Mos fol, mos bëj) atë gjë për të cilën s’ke dijeni.” [El Isra, 36].
Edhe nëse e përfytyron duke e krahasuar me diçka tjetër, atëherë i ke bërë Allahut shembull dhe të ngjashëm me Të, ndërsa Allahu thotë: “Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Esh Shura, 11].
Me këtë na bëhet e qartë se kushdo që i mohon atributet e Allahut, ai e ka bërë këtë pasi që së pari i ka përfytyruar ato, pastaj thonë se nga ky përfytyrim rezulton ngjasimi me krijesat, pastaj e shtrembëruan domethënien e tyre.
Ndaj ne themi: Cdo mohues dhe refuzues i atributeve të Allahut, ai është prej atyre që i ka ngjasuar ato (me të krijesave) dhe ngjasimi i tij i ka paraprirë mohimit që ai bën. Ai i ka ngjasuar ato së pari, pastaj i ka mohuar, e sikur ai t’a kishte vlerësuar Allahun ashtu si i takon dhe të mos i ishte ballafaquar përfytyrimit të atributeve të Tij, ai nuk do të kishte shkuar në këtë refuzim dhe mohim të tyre.